Shëndeti Mendor është e drejtë univerzale e njeriut

Publication Image

Me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Shëndetit Mendor, Ministria e Shëndetësisë organizoi tryezën e rrumbullaket me moton " Shëndeti Mendor është e drejtë univerzale e njeriut".
Në këtë tryezë mori pjesë Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, Sekretari i Përgjithshëm i MSh, Dr. Naim Bardiqi, përfaqësues nga Institucioni i Avokatit të Popullit, si dhe përfaqësues të tjerë nga institucionet/organizatat jo qeveritare që merren me çështjen e shëndetit mendor.
Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia theksoi rëndësinë e shënimit të Ditë Botërore të Shëndetit Mendor, për të ngritur ndërgjegjësimin e të gjithë qytetarëve, që ta kuptojnë rëndësinë dhe kujdesin që duhet ofruar për shëndetin mendor, që shëndeti mendor të vlerësohet promovohet dhe të mbrohet.
“Të kesh një gjendje të shëndetit mendor, nuk duhet të jetë kurrë një arsye për ta privuar një person nga të drejtat e tij njerëzore ose për ta përjashtuar atë për marrje të një vendimi për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Pasi që të gjithë lëndohemi gjatë jetës, përjetojmë trauma, por nuk janë vetëm plagët e dukshme që tregojnë dhembjen,
mendjet tona, gjithashtu mund të ndjejnë dhimbjen, ne duhet të kujdesemi për shëndetin tonë mendor” theksoi Vitia.
Gjithashtu, Ministri Vitia potencoi se Ministria e Shëndetësisë vazhdon të jetë e përkushtuar, për përmirësimin e cilësisë së jetës së personave me çrregullime mendore, ka ndërmarrë të gjitha veprimet për rritjen e rëndësisë të shëndetit mendor, për trajtimin e barabartë pa diskriminim të personave me çrregullime mendore në funksion të respektimit të integritetit fizik dhe dinjitetit njerëzor, për ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, ofrimin e mbështetjes të nevojshme institucionale, për sigurimin e jetës së shëndetshme për të gjithë, në të gjitha moshat.
Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm, Dr. Naim Bardiqi tha se shëndeti dhe mirëqenia mendore janë thelbësore për një jetë të mirë dhe kuptimplotë.
“Është jetike dhe meriton të njihet dhe të respektohet shëndeti mendor, në veçanti, mbështetja me kohë e personave me gjendje të shëndetit mendor mund të bëjë një ndryshim pozitiv në shëndetin dhe mirëqenien e tyre” theksoi Bardiqi.
Sekretari i Përgjithshëm shtoi se në bashkëpunim me të gjithë akterët relevant të fushave specifike gjatë këtij viti për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve, adoleshentëve, të rinjve dhe të moshuarve janë hartuar udhëzues dhe udhërrëfyes klinik. Gjithashtu gjatë kësaj periudhe është hartuar edhe Projektligji për Shëndet Mendor, i cili është në fazën e konsultimeve publike.
Dr. Laura Shehu- Udhëheqëse e Divizionit të Shëndetit Mendor, prezantoi të arriturat e divizionit, ku theks të veçantë i vuri promovimit të mirëqenies mendore, parandalimit të çrregullimeve mendore, ofrimit të kujdesit shëndetësor si dhe promovimit të të drejtave të njeriut.