Ministri Vitia pa nga afër procesin e vaksinimit kundër gripit sezonal dhe kontrollet e mamografisë në Komunën e Shtimes
- 17.10.2023
Sot, Ministri i Shëndetësisë Dr. Arben Vitia, zv. Ministrja Dr. Dafina Gexha- Bunjaku të shoqëruar nga kryetari i Komunës së Shtimes, z. Qemajl Aliu, vizituan Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) për të parë nga afër procesin e vaksinimit kundër gripit sezonal, si dhe kontrollet e mamografisë të cilat po realizohen në kuadër të muajit për ndërgjegjësimin për sëmundjen e kancerit të gjirit.
Ministri Vitia bëri të ditur se tashmë ka filluar vaksinimi i qytetarëve kundër gripit sezonal në të gjitha komunat e Kosovës, ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka siguruar 85 mijë e 500 doza të vaksinave, prej të cilave 500 pediatrike.
"Me qëllim të forcimit të imunitetit ndaj virozave të cilat përhapen kryesisht gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit, ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të vaksionohen. Vaksinimi është i rëndësishëm veçanërisht për personat e moshuar, personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe lehona", tha ministri Vitia.
Ai bëri të ditur se shpërndarja e vaksinave është bërë sipas planifikimit nga niveli parësor shëndetësor në të gjitha QKMF-të.
Kryetari i Komunës së Shtimes, z. Qemajl Aliu e njoftoi ministrin Vitia se procesi i vaksinimit në këtë komunë është duke u zhvilluar sipas dinamikës së paraparë nga profesionistët shëndetësor. Ndërsa, në vazhdën e aktiviteteve të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, kryetari Aliu njoftoi se kontrollet po bëhen edhe jashtë orarit të paraparë, me qëllim që të gjitha gratë e interesuara të marrin shërbimet përmes mamografit mobil.
Gjatë kësaj vizite, ministri Vitia tha se Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë të përkrahë komunat në vazhdimësi, veçanërisht sa i përket ofrimit të kushteve për kontrollet të cilat janë të domosdoshme për shëndetin e qytetarëve.