Ministri Vitia u prit në takim nga homologu i tij në Turqi, z. Fahrettin Koca
- 23.10.2023
Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia mori pjesë në Kongresin Botëror të Shëndetësisë i cili u organizua në Turqi. Gjatë kësaj vizite, ministri Vitia u prit në takim nga Ministri i Shëndetësisë në Republikën e Turqisë, z. Fahrettin Koca të cilin e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme dhe kontributin e shtetit turk për sektorin e shëndetësisë në Kosovë.
“Ju falënderoj për ndihmën e vazhdueshme dhe me këtë rast dua të theksoj ndihmën për trajtimin falas nga shteti turk për 100 pacientët për shërbime mjekësore të cilat nuk ofrohen në instutcionet shëndetësore në Kosovë. Ne e çmojmë mbështetjen dhe asistencën teknike të cilën do ta marrim pas nënshkrimit të protokollit që do ta nënshkruajmë me Ministrinë e Shëndetësisë të Republikës së Turqisë. Presim që bashkëpunimi i vazhdueshëm do të forcojë lidhjet midis dy vendeve dhe popujve tanë në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë”, tha ministri Vitia gjatë këtij takimi.
Në këtë takim, Ministri Vitia kërkoi që në kuadër të bashkëpunimit të rregullt me institucionet përkatëse të Republikës së Turqisë, sipas mundësive, të rritet numri i pacientëve të cilët trajtohen falas në Turqi në rastet kur shërbimet nuk mund të ofrohen në vendin tonë.
Thekse të këtij takimi ishin edhe mbështetja, sipas nevojës, me medikamente dhe materialet shpenzuese në përputhje me legjislacionin në fuqi. E drejta e qytetarëve të Kosovës të cilën marrin shërbime mjekësore në Republikën e Turqisë që të inkuadrohen/regjistrohen në sistemin e recetës elektronike bazuar në “Letrën e qëllimit të mirë”, si dokument parimor midis dy ministrive të shëndetësisë.
Gjithashtu, u diskutua për mundësinë e organizimit të javës së shëndetësisë midis Kosovës dhe Turqisë, e cila do të mbahej një herë në vit në fushat për të përfituar nga ekspertiza e mjekëve të Turqisë, në fushat ku ka nevojë sistemi shëndetësor në Kosovë.
Po ashtu, në këtë takim u bisedua edhe për vazhdimin e bashkëpunimit të zhvillimit profesional të specializantëve në fushat deficitare të cilët do të marrin përvojën e tyre në spitalet e Turqisë, ndihmesa që Republika e Turqisë mund ta jep për Fondin e Sigurimit Shëndetësor përmes ekspertizës teknike dhe kapaciteteve njerëzore, si dhe aktivitete të tjera të cilat do të ndikojnë në avancimin e sistemit shëndetësor në Kosovë.