Mbahet Konferenca e III-të Ndërkombëtare “Navigim në botën e mikrobeve”
- 03.11.2023
Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, mori pjesë në konferencën e III-të Ndërkombëtare “Navigim në botën e mikrobeve”, e organizuar nga Shoqata e Mikrobiologëve në Kosovës.
Në këtë konferencë mori pjesë edhe Dr. Robert Skov, Kryetar i Shoqatës Evropiane të Mikrobiologjisë Klinike dhe Sëmundjeve Ngjitëse dhe njëherit edhe Kryetar i Qendrës Ndërkombëtare të Zgjidhjeve për Rezistencën Antimikrobike (ICARS) si dhe profesor, Dr. Lul Raka.
Ministri Vitia theksoi se zhvillimet e hovshme të teknologjisë kanë ndërruar tërësisht kahjen e diagnozës, parandalimit, kontrollit dhe trajtimit të sëmundjeve ngjitëse.
“Sot, po jetojmë një kohë sfidash por edhe mundësish shëndetësore. Pandemia Covid-19, rezistenca ndaj antibiotikëve dhe zoonozat na rikujtojnë marrëdhënien e ngushtë midis njeriut dhe botës së mikrobeve dhe brishtësinë tonë ndaj kërcënimeve mikrobike përkundër të gjitha zhvillimeve teknologjike”.
Gjithashtu Ministri Vitia, potencoi nevojën për kërkime shkencore, inovacione dhe bashkëpunim, duke u zotuar se qeveria është dhe do të jetë e angazhuar për të mbështetur komunitetin shkencor dhe për të investuar në të ardhmen e mikrobiologjisë dhe drejtimeve të tjera, pasi që asnjëherë nuk ka qenë më urgjente.
“Në këto kohëra kritike, rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar është shumë e lartë dhe qeveria jonë është e përkushtuar në krijimin e mjediseve që inkurajojnë hulumtimin shkencor dhe bashkëpunimin global” tha Vitia.
Bashkëpunimi dhe angazhimi gjatë dy ditëve të ardhshme të kësaj konference do të kontribuoj në përparimin e mikrobiologjisë kosovare dhe fuqizimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.