Promovohet Manuali i Dytë i Procedurave Standarde të Infermierisë në Kujdesin Parësor Shëndetësor
- 21.11.2023
Ministria e Shëndetësisë, promovoi Manualin e dytë të Procedurave Standarde të Infermierisë në Kujdesin Parësor Shëndetësore- Kujdesi Infermieror në Komunitet”.
Në këtë organizim morën pjesë Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, Udhëheqësi i Projektit AQH, Z. Nicu Fota, Kryetarja e OIK, Znj. Nexhmie Gori, si dhe profesionistë shëndetësorë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Ministri Vitia theksoi se kujdesi shëndetësor është sfidë komplekse dhe dinamike dhe hartimi i Procedurave Standarde Operative, ndihmon në zvogëlimin e rreziqeve, gabimeve dhe ndërhyrjeve, duke garantuar shërbim të sigurt dhe të besueshëm.
“Qëllimi kryesor i këtij manuali është standardizimi i shërbimeve infermierore në komunitet i ofruar në mënyrë unike për përmirësimin e sigurisë, cilësisë dhe efikasitetit të kujdesit në nivelin e KPSH në Republikën e Kosovës”, tha Ministri Vitia.
Tutje Vitia, theksoi se ky manual, përveç se është i obligueshëm për tu zbatuar në praktikën e përditshme te punonjësit shëndetësorë, gjithashtu duhet të përfshihet si literaturë e dobishme në procesin e edukimit dhe arsimimit në shkollat e mesme të mjekësisë dhe në studimet universitare në shkencat mjekësore në Republikën e Kosovës.
Ndërsa, Udhëheqësi i Projektit AQH, z. Nicu Fota, theksoi se nuk është kurrë e mjaftueshme njohja e punës së palodhur, përkushtimit dhe rolit të rëndësishëm që luajnë infermierët në ofrimin e shërbimeve shëndetësore cilësore, promovimin e shëndetit dhe mbrojtjen e të drejtave të pacientëve.
Ai tutje shtoi se AQH dhe IHS kanë mbështetur dhe do të mbështesin Ministrinë e Shëndetësisë në iniciativat e saja për zhvillimin e programeve për ta bërë sa më të lehtë punën e infermierëve.
Ky manual është realizuar nga grupi i ekspertëve të Ministrisë së Shëndetësisë, përfshirë punën në teren, analizimin e literaturës, diskutimeve dhe punëtorive me përfaqësim aktiv të profesionistëve shëndetësor, shoqatës së pacientëve, i cili është mbështetur nga Projekti AQH.
Kujtojmë se më 12 maj 2023, në Ditën Ndërkombëtare të Infermierisë, u promovua Manuali i parë i Procedurave Standarde të Infermierisë në Kujdesin Parësor Shëndetësorë.