Ministri Vitia- Vetëm me përkushtim dhe bashkëpunim mund të ofrohen shërbime sa më të mira për qytetarët
- 04.12.2023
Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia mori pjesë në promovimin e Revistës “ Shëndeti dhe Kujdesi Infermieror”, i organizuar nga Oda e Infermierëve të Kosovës.
Në këtë organizim morën pjesë Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, Kryetarja e Odes së Infermierëve të Kosovës, znj. Nexhmie Gori, Drejtori i ShSKUK-së, z. Elvir Azizi, Kryetari i revistës, z. Muharrem Arifi, si dhe profesionistë të tjerë shëndetësorë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Ministri Vitia theksoi se revista “Shëndeti dhe Kujdesi Infermieror” do të shërbej si një forum shkencor për infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësor për t’i avancuar njohuritë për kujdesin shëndetësor dhe kujdesin brenda disiplinës së infermierisë.
“Ne jemi zotuar dhe jemi duke punuar që të përmirësojmë infrastrukturën tonë të kujdesit shëndetësor, të promovojmë dhe zbatojmë shërbimet në tri nivelet e kujdesit shëndetësor, të promovojmë përmirësimet në teknologjinë mjekësore dhe të mbështesim në mënyrë proaktive zhvillimin e mjekësisë Kosovare për rezultate më të mira për shëndetin e qytetarëve tanë”, tha Vitia.
Në këtë drejtim, edhe Oda e Infermierëve të Kosovës është duke dhënë një kontribut të konsiderueshëm në profesionin e infermierisë, veçanërisht në zhvillimin e edukimit të vazhdueshëm profesional për infermierinë.
Ministria e Shëndetësisë si gjithnjë do të mbështes komunitetin e infermierisë dhe institucionet e përkushtuara, sepse vetëm me bashkëpunim mund të adresohen nevojat ashtu si duhet për qëllimin e përbashkët, shërbime sa më të mira për qytetarët tanë.