VATS - procedurë e re kirurgjike për herë të parë në institucionet tona publike
- 26.01.2024
Sot, Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të ShSKUK, z. Elvir Azizi u pritën nga Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Torakale, Dr. Nazmi Kolgeci, ku u njoftuan për shërbimin e ri shëndetësor i cili u jetësua në Kirurgjinë Torakale.
Dr. Kolgeci theksoi se VATS është procedurë kirurgjike mini invazive, trend i ri i intervenimeve në kirurgji, e cila do të garantoj cilësi gjatë ndërhyrjeve operative.
“Përmes kësaj procedure, ne do të kursejmë paranë publike, sepse intervenimet për këto raste janë dërguat për trajtim jashtë vendit dhe kostoja për këtë trajtim kap vlerën e 35 mijë euro. Afërsisht kursejmë 700 mijë euro për vit, për 20 pacient të cilët referohen”, tha Dr. Kolgeci.
Ndërsa, Ministri Vitia falënderoi stafin për vullnetin e treguar për aplikimin e kësaj procedure në veçanti Dr. Xhevdet Ademaj, doktor që jeton dhe vepron në Gjermani për mbështetjen vullnetare që po e ofron në shërbim të kësaj procedure.
Gjithashtu, Ministri Vitia theksoi se të gjitha intervenimet kirurgjike në kafazin e kraharorit duhet të realizohen me këtë metodë të avancuar dhe se e ardhmja e intervenime kirurgjike është në VATS.
Vlera e këtij investimi në aparturë moderne është rreth 250.000 euro.