Nënshkruhet Marrëveshja për Avancimin e Kujdesit Shëndetësor të Qasshëm dhe Cilësor në Kosovë
- 22.03.2024
Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia dhe Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, z. Jürg Sprecher nënshkruan Marrëveshje për Avancimin e Kujdesit Shëndetësor të Qasshëm dhe Cilësor në Kosovë (AQH), Faza III. Kjo marrëveshje shënon një pikë të rëndësishme në bashkëpunimin e vazhdueshëm mes Kosovës dhe Zvicrës për të përmirësuar qasjen dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor në vend.
Ministri Vitia falënderoi Ambasadorin, z. Jürg Sprecher për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pa rezervë në sistemin shëndetësor në Kosovë përmes projekteve “Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor “(AQH) Faza I dhe Faza II, si dhe “Shërbimet e Integruara Shëndetësore” (IHS).
Gjithashtu, Ministri Vitia theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshje për përmirësimin e shërbimeve në Kujdesin Parësor Shëndetësor, duke pasur parasysh se këto institucione janë porta e parë e pacientit drejt kujdesit shëndetësor.
“Ju siguroj se Ministria e Shëndetësisë do të bëjë të gjitha përpjekjet për të siguruar lejet dhe miratimet e nevojshme për të mundësuar një zbatim në kohë dhe efikas të këtij projekti dhe do të kontribuojë në krijimin e një konteksti të favorshëm për zhvillimin e një sistemi të qëndrueshëm të kujdesit shëndetësor në Kosovë, me theks të veçantë në Kujdesin Parësor Shëndetësor (KPSh)”, tha Vitia.
Ndërsa, Ambasadori Zviceran, z. Jürg Sprecher tha se marrëveshja e sotme është një dëshmi e vizionit të përbashkët për të ndërtuar një sistem shëndetësor të qëndrueshëm dhe të përshtatshëm që është i gatshëm të përmbushë nevojat e sotme dhe të pranojë sfidat e të ardhmes, veçanërisht në lidhje me sëmundjet kronike.
Nënshkrimi i marrëveshjes së Fazës III-të të Projektit AQH nënvizon përkushtimin e të dy qeverive, kosovare dhe zvicerane, për zhvillimin e qëndrueshëm të shërbimeve shëndetësore në Kosovë. Me një buxhet projekti prej 6,500,000.00 CHF, Faza III synon të mbështes më tej ofruesit dhe menaxherët shëndetësor, njohuritë mbi shëndetin të komunitetit dhe të promovojë kërkesën për kujdes cilësor tek qytetarët, veçanërisht popullata e cenueshme.