Fillon Java Botërore e Imunizimit, me moton “Mbroni brezat e ardhshëm”
- 22.04.2024
Me rastin e shënimit të Javës Botërore të Imunizimit, Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me IKShPK-në dhe partnerët strategjik kanë organizuar konferencë me moton “Mbroni brezat e ardhshëm”.
Të pranishëm në këtë konferencë ishin, Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, Kryesuesja Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Dr. Fatmire Mulhaxha Kollçaku, Drejtori Ekzekutiv i IKShPK, Prof. Dr. Naser Ramadani, Udhëheqësi i OBSH-së për Kosovë, z. Oleksandr Martynenko, Zëvendës Shefi i UNICEF-it në Kosovë, Benjamin Samuel Fisher, përfaqësues nga Këshilli i Prindërve dhe profesionistë të tjerë shëndetësor.
Në këtë konferencë u theksua përditësimi i Kalendarit të rregullt të vaksinimit, ku pas një dekade, Ministria e Shëndetësisë ka arritur të përfshijë në kalendarin e rregullt të imunizimit në Kosovë edhe tre vaksina të reja në mbrojtje të shëndetit të popullatës si: Vaksina HPV (Vaksina kundër Human Papilloma Virusit), Rota Vaksina (Vaksina e Rotavirusit) dhe Pneumokok Vaksina (Vaksina kundër Pneumonisë, Meningjitit dhe Sepsës).
“Plani i Veprimit për Vaksinim 2022-2025 ka paraparë zgjerimin e Kalendarit të vaksinimit me këto tre vaksina si një intervenim i drejtpërdrejt për të ulur rrezikun e sëmundjeve dhe vdekshmërinë nga kanceri i qafës së mitrës, infeksionet me Rotavirus te fëmijët dhe sëmundje të ndryshme që shkaktohen nga tipe të ndryshme të Pneumokokut”, tha Vitia.
Ministri Vitia, tutje theksoi se Ministria e Shëndetësisë ka punuar ngushtë me partnerët për fuqizimin e kapaciteteve aktuale të zinxhirit të ftohtë të vaksinimit përmes ngritjes së Depos moderne për ruajtjen e vaksinave, funksionalizimin e Sistemit për monitorimin e temperaturës që mundëson ruajtjen e sigurt të vaksinave, si dhe sigurimin e 23 veturave për zinxhirin e ftohtë me qëllim të lehtësimit të punës për realizimin e vizitave në shtëpi për shëndetin e nënës dhe fëmijës, kujdesin paliativ, si dhe në mënyrë të veçantë procesin e vaksinimit.
Përditësimi i kalendarit të rregullt të vaksinimit është bërë nëpër vite, ndërkohë që aktualisht në Kosovë kalendari i vaksinimit të rregullt përfshinë 13 sëmundje të parandalueshme me vaksina.