Përurohen renovimet në Klinikën e Psikiatrisë së fëmijëve dhe adoleshentëve
- 15.05.2024
Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, sot mori pjesë në përurimin e renovimit të objektit të Psikiatrisë së fëmijëve dhe adoleshentëve
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe Ministrja e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli, Drejtori i Bankës Botërore në Kosovë, z. Massimiliano Paolucci, Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë, Dr. Faton Kutllovci, si dhe profesionist të tjerë shëndetësor.
Ministri Vitia theksoi se nga sot, në këtë klinikë shërbimet nuk do të jenë më vetëm ambulantore, pasi që tani është i mundshëm edhe hospitalizimi për fëmijët dhe adoleshentët, gjithnjë me indikacione e me protokolle të standardizuara.
“Për herë të parë në klinikën e Psikiatrisë së fëmijëve dhe adoleshentëve do të kemi shtretër. Në repartin për fëmijë dhe adoleshent, me ngritjen e kapaciteteve do të lehtësohet puna e profesionistëve dhe fëmijët e adoleshentët tani e tutje do të marrin shërbime me kujdes më afatgjatë, sepse deri tani në këtë repart janë ofruar vetëm shërbime ambulantore. Po ashtu kemi shtuar shërbimin për Logopedi. Në të kaluarën është bërë vetëm diagnostikimi i autizmit ndërsa tani janë krijuar kushtet edhe për trajtim”, tha Vitia.
Po ashtu, Ministri Vitia shtoi se Ndërgjegjësimi mbi rëndësinë e shëndetit mendor, me theks të veçantë për fëmijët mbetet nevojë immediate, ku për këtë Ministria e Shëndetësisë, për vitin 2024 ka ndarë 50.000 euro për t’i mbështetur organizatat joqeveritare të cilat kanë në fokus shëndetin mendor.