Renovim modern që transformon kujdesin onkologjik
- 20.05.2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti dhe Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, përuruan renovimet në Klinikën e Onkologjisë.
Në ceremoninë e përurimit mori pjesë edhe Drejtori i ShSKUK-së, z. Elvir Azizi, Drejtori i Klinikes së Onkologjisë, dr. Ilir Kurtishi, profesionist shëndetësor, si dhe anëtarët e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi.
Me renovimin në Klinikën e Onkologjisë është bërë riorganizimi i ofrimit të shërbimeve, hapësira moderne, shtimi i kapaciteteve dhe për herë të parë kjo klinikë është pajisur me klimatizim dhe digjitalizim.
Klinika e Onkologjisë, përveç objektit modern, në gusht të vitit 2023 është furnizuar edhe me Akseleratorin e gjeneratës së fundit, në vlerë prej 1 milion e 444 mijë eurove, pajisje kjo që përmirëson cilësinë e trajtimit me radioterapi. Falë specifikave të akseleratorit të ri, shumë pacientë nuk do të kenë nevojë të kërkojnë trajtim jashtë vendit dhe se nuk do të ketë listë të pritjes për të marrë këtë shërbim.
Po ashtu, vlen të theksohet se për pacientët me sëmundje malinje është zgjeruar gama e barnave në Listën Esenciale. Në vitin 2019, buxheti për këto barna ishte rreth 8 milionë euro, ndërsa me rishikimin e fundit të listës, ky buxhet është arritur në 13 milionë euro për këtë kategori.
Investimet moderne në këtë klinikë kanë vlerë rreth 600 mijë euro.