Ministri Vitia mori pjesë në hapjen e Kongresit “Integrimi Farmaceutik në Bashkimin Evropian - Sfidat Legjislative”
- 01.06.2024
Sot, Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Kongresit “Integrimi Farmaceutik në Bashkimin Evropian - Sfidat Legjislative”.
Në fjalën e tij, Ministri Vitia shprehu kënaqësinë për prezencën e tij në këtë kongres dhe theksoi rëndësinë e shërbimeve farmaceutike si gur themeli i një sistemi të fortë të kujdesit shëndetësor.
Gjithashtu, ai shprehu përkushtimin e tij të thellë për të siguruar që sistemi i kujdesit shëndetësor në Kosovë të evoluojë për të përmbushur standardet më të larta ndërkombëtare.
“Ndryshimet legjislative dhe harmonizimi i tyre me direktivat e BE-së janë parë si mundësi për të përmirësuar shërbimet farmaceutike, duke ofruar qasje më të mirë në barna dhe rregullore të përmirësuara për qytetarët tanë”, tha Vitia.
Më tej, Ministri Vitia shtoi se Ministria e Shëndetësisë është në fazën finale për fillimin e zbatimit të Ligjit për çmimet e produkteve medicinale, i cili është miratuar që nga data 15 maj 2024.
Përafrimi dhe synimi për integrimin e sektorit të farmacisë së Kosovës në BE është një rrugëtim transformues me sfida, por edhe mundësi të jashtëzakonshme për të përmirësuar sistemin e kujdesit shëndetësor. Me përpjekje kolektive, pa dyshim se do të kemi sukses në këtë drejtim.