Transformohen katër reparte në Klinikën e Gjinekologjisë dhe u shtuan tri shërbime të reja
- 18.06.2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, dhe Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, përuruan renovimet në Klinikën e Gjinekologjisë.
Në ceremoninë e përurimit morën pjesë Ministrja e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu, Nënkryetarja e Kuvendit, znj. Saranda Bogujevci, deputetë dhe Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Dr. Zef Ndrejaj.
Investimet në Klinikën e Gjinekologjisë në vlerë prej 5.5 milionë euro, duke përfshirë modernizimin dhe përmirësimin e shërbimeve dhe infrastrukturës në katër repartet kryesore. Gjithashtu, riorganizimi i ofrimit të shërbimeve ka sjellë hapësira moderne dhe, për herë të parë, janë shtuar tri shërbime të reja në këtë klinikë.
Investimet përfshijnë edhe Repartin e Fertilizimit të Asistuar Mjekësor, ku kontrata për furnizim me pajisje është nënshkruar dhe furnizimi do të realizohet së shpejti.
Ky shërbim, me një vlerë prej 1.5 milionë euro, do të ofrohet për herë të parë në institucionet publike me një çmim të përballueshëm.
Gjithashtu, janë digjitalizuar shërbimet në ambulancën specialistike, është bërë riorganizimi i sporteleve dhe hapësirave pritëse, si dhe organizimi i reparteve sipas standardeve të reja, duke reduktuar numrin e shtretërve në vetëm dy për dhomë, nga tetë sa ishin.
Në Klinikën e Gjinekologjisë janë shtuar gjithashtu shërbime të reja si Fertilizimi i Asistuar Mjekësor, Mjekësia Fetale dhe Amniocenteza, që kanë munguar deri tani në institucionet publike. Këto shërbime do të përmirësojnë cilësinë e jetës së pacientëve dhe do të ulin kostot për qytetarët.
Këto përmirësime dhe shërbime të reja janë një hap i madh përpara në ofrimin e kujdesit shëndetësor cilësor dhe të përballueshëm për të gjithë qytetarët.