Përurohen investimet edhe në Klinikën e Kardiokirurgjisë
- 23.07.2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, bashkë me Ministrin e Shëndetësisë, dr. Arben Vitia, të shoqëruar nga Ambasadori i Italisë në Kosovë, z. Antonello De Riu dhe Drejtori i ShSKUK-së, z. Elvir Azizi morën pjesë në ceremoninë e përurimit të renovimeve në Klinikën e Kardiokirurgjisë.
Renovimet në vlerë prej 750 mijë euro janë investime që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve për pacientët dhe, në të njëjtën kohë, lehtësojnë punën e palodhshme të stafit shëndetësor, të cilët japin përkushtimin e tyre maksimal.
Pas finalizimit të investimeve, Klinika e Kardiologjisë ka nëntë shtretër më shumë, dhoma të kujdesit intensiv dhe salla operative sipas standardeve më të larta, zona të filtrimit për eliminimin e infeksioneve intraspitalore, banjo e nyje sanitare moderne, hapësira të ripërtërira e të riorganizuara të sportelit dhe të pritjes, si dhe hapësirë të re prej 200 metra katrorë për depo të barnave, arkiva dhe zyre për stafin shëndetësor.
Në kuadër të këtij përurimi, Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, i falënderoi të gjithë profesionistët shëndetësorë për punën e palodhshme dhe të pakursyer që bëjnë, në veçanti Drejtorin e Klinikës së Kardiokirurgjisë, Shpejtim Shurdhiqi dhe Ambasadorin e Italisë në Kosovë, z. Antonello De Riu, për mbështetjen që kjo klinikë ka marrë nga Republika e Italisë.
Ndërsa Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, tha se sot po lëshohet edhe një klinikë me kushtet më moderne të mundshme dhe një klinikë kaq e rëndësishme si Kardiokirurgjia. Kjo klinikë do të ofrojë mundësi për të gjithë pacientët në Republikën e Kosovës që t’i marrin shërbimet më të mira, më cilësore, të cilat më herët nuk i kanë marrë këtu, por në vende tjera apo në klinika private.
“Do të vazhdojmë klinikë pas klinike, do të vazhdojmë me mos ndaljen e shërbimeve pavarësisht gjithë investimeve në QKUK, por jo vetëm, edhe në spitalet e përgjithshme”, tha ministri Vitia.
Me rastin e përurimit të këtyre investimeve, të pranishëm ishin gjithashtu deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Fatmire Mullhaxha Kollçaku, Haxhi Avdyli dhe profesionistë të tjerë shëndetësorë.