Përurohen investimet rrënjësore në Klinikën Emergjente
- 27.08.2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, Ministri i Shëndetësisë, dr. Arben Vitia, dhe deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Haxhi Avdyli, të shoqëruar nga Drejtori i ShSKUK-së, z. Elvir Azizi, Drejtori i QKUK-së Osman Hajdari morën pjesë në përurimin e renovimeve të Klinikës Emergjente në QKUK.
Investimet prej 800 mijë euro në Klinikën Emergjente sjellin përmirësime të dukshme për pacientët dhe lehtësojnë punën e stafit shëndetësor.
Pas finalizimit të këtyre investimeve, Kryeministri Kurti theksoi se Klinika Emergjente ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm, duke përfshirë hapësirë për triazhim, klimatizim dhe ventilim qëndror, rritjen e kapaciteteve me shtretër të rinj, riorganizimin e tërsishëm të hapësirave të brendshme, banjo dhe nyje sanitare që përmbushin standardët më të larta të higjenës dhe integrimin e telemjekësisë për monitorim të operacioneve në kohë reale.
Ndërsa, Ministri i Shëndetësisë, dr. Arben Vitia, tha se investimet e tilla dhe procese të tjera janë duke vazhduar në QKUK, si edhe në spitalet regjionale.
Ministri Vitia falënderoi të gjithë profesionistët shëndetësorë dhe theksoi se ky rezultat sot është meritë e kërkesave dhe punës së tyre.
Ministria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar për të siguruar kushte sa më të mira për qytetarët në shëndetësinë publike.
Galeria












