Ministria e Shëndetësisë lanson fushatën për Ndërgjegjësimin Kundër Kancerit të Gjirit

Publication Image

Nën moton “Kancerin e Gjirit e Mposhtim së Bashku”, Ministria e Shëndetësisë lansoi fushatën për ndërgjegjësimin mbi kancerin e gjirit. Kjo fushatë ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin për këtë sëmundje që prek mijëra gra por edhe burra çdo vit.
Në këtë ngjarje morën pjesë Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, Zëvendëskryeministrja, znj. Emilia Regjepi, Ministrja e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli, Drejtoresha e Qendrës “Jeta-Vita”, znj. Nafije Latifi, ish-Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, si dhe profesionistë shëndetësorë.
Në fjalën e tij, Ministri Vitia theksoi se kjo fushatë ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe mbështetjes së pacientëve që përballen me këtë sëmundje, duke veçuar se vetëkontrolli, kontrollet e shpeshta në raste të dyshimeve, si dhe mamografia janë shumë të rëndësishme për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.
Ministri Vitia njoftoi se Mamografia si shërbim kyç për diagnostikim, vitin e kaluar shënoi një rekord në numrin e ekzaminimeve, duke mundësuar diagnostikimin në faza shumë të hershme.
“Vitin e kaluar për herë të parë, filluam me shërbime të mamografisë mobile edhe në komunat veriore të vendit, ku për vetëm 3 ditë janë realizuar 180 ekzaminime, Ky hap ka ndihmuar në rritjen e qasjes për gratë në këto zona dhe në identifikimin e rasteve në faza të hershme”, tha ministri.
Ministri theksoi investimet e realizuara në Klinikën e Onkologjisë dhe blerjen e dy akseleratorëve të rinj, përfshirë sistemin më të avancuar C-RAD, të cilat kanë ndikuar ndjeshëm në cilësinë e trajtimit. Gjithashtu, operacionet për rikonstruktimin e gjirit tani ofrohen falas në shëndetësinë publike, duke ofruar qasje të barabartë për të gjitha gratë dhe ndihmuar në rikthimin e vetëbesimit të tyre.
Ndërsa, Drejtoresha e Qendrës “Jeta-Vita”, znj. Nafije Latifi, inkurajoi qytetarët që të kenë kujdes për shëndetin e tyre dhe të familjarëve, duke u bërë thirrje të konsultohen rregullisht me mjekët e tyre dhe të angazhohen në aktivitete të vetëkontrollit, sepse zbulimi i hershem, shpëton jetë.
Së bashku, ne mund të bëjmë një ndryshim të dukshëm në luftën kundër kancerit të gjirit.