Thyerja e barrierave, plotësimi i boshllëqeve
- 20.11.2024
Me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Diabetit, Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, me mbeshtetjen e Projektit AQH, organizoi tryezë të rrumbullakët, me moton: “Thyerja e barrierave, plotësimi i boshllëqeve”.
Në këtë tryezë morën pjesë: Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dr. Dafina Gexha-Bunjaku, Drejtoresha e QRSHP, Dr. Adnora Nurboja, Drejtori për Shëndetësi në Komunën e Pejës, z. Petrit Loci, Kryetari i Shoqatës së të Sëmurëve me Diabet, z. Idriz Ethemi, Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së të Sëmurëve me Diabet, Dr. Islam Osaj, Specialistja e Shëndetit Publik, Dr. Florije Basholli, përfaqësuesja e Projektit AQH, znj. Elvira Rasimi, si dhe profesionistë të tjerë shëndetësorë.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dr. Dafina Gexha-Bunjaku, theksoi se Dita Botërore e Diabetit është një fushatë globale ndërgjegjësimi që synon të rris mirë informimin për diabetin, të rris kujdesin për diabetikët dhe të mbështesë ata që preken nga kjo sëmundje. Diabeti është shkaku kryesor i vdekjeve dhe paaftësisë në nivel globa, por është gjithashtu një gjëndje që mund të parandalohet me zgjedhjet e duhura të stilit të jetës, edukimin dhe ndërhyrjen e hershme.
Po ashtu, Drejtoresha e QRSHP, Dr. Adnora Nurboja, shtoi se Dita Botërore e Diabetit ofron një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin për diabetin si një çështje kritike globale e shëndetit publik dhe për të theksuar veprimet kolektive dhe individuale të nevojshme për të përmirësuar parandalimin, diagnostikimin dhe menaxhimin e gjendjes.
Ndërsa, Kryetari i Shoqatës së të Sëmurëve me Diabet, z. Idriz Ethemi, theksoi se Diabeti nuk është vetëm një sfidë, por edhe një sfidë sociale dhe ekonomike që na prek të gjithëve. Të gjithë qytetarët, organizatat, profesionistët, institucionet mund të jemi pjesë e zgjidhjes përmes bashkëpunimit dhe angazhimit të sinqertë.
Prandaj, të bashkohemi të gjithë në rritjen e ndërgjegjësimit, përhapjen e njohurive dhe krijimin e ndryshimeve të qëndrueshme për të gjithë të prekurit nga diabeti.