Dita Botërore e AIDS-it, Kosova angazhohet për shëndetin dhe të drejtat e individëve me HIV AIDS
- 02.12.2024
Me rastin e shënimit të Ditës Botërore të AIDS-it, Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, organizoi tryezën e rrumbullakët me moton: “Merrni rrugën e të drejtës tuaj: Shëndeti im, e drejta ime!”. Ky aktivitet kishte për qëllim të nxisë ndërgjegjësimin dhe veprimin në lidhje me të drejtat e njeriut dhe shëndetin, duke theksuar rëndësinë e barazisë në qasjen ndaj shërbimeve shëndetësore për të gjithë individët, sidomos për ata që jetojnë me HIV/AIDS.
Në këtë tryezë morën pjesë Zëvendësministri i Shëndetësisë, Dr. Arsim Berisha, në cilësinë e Kryesueses së Mekanizmit Koordinues të Kosovës, Dr. Dafina Gexha-Bunjaku, Sekretari i Përgjithshëm, Dr. Naim Bardiqi, Drejtoresha e IKShPK-së, Dr. Ardita Baraku, përfaqësues nga Institucioni i Avokatit të Popullit, perfaqesyes nga shoqëritë civile dhe profesionistë të tjerë shëndetësorë.
Në fjalën e tij, Zëvendësministri Berisha theksoi se 1 dhjetori është një shenjë e përkushtimit në luftën kundër HIV/AIDS dhe thellimit të ndërgjegjësimit për nevojën e bashkëpunimit global. Ai gjithashtu theksoi përkushtimin e Ministrisë së Shëndetësisë për të fuqizuar sistemin shëndetësor dhe për t’u siguruar që shërbimet e testimit, trajtimit dhe kujdesit për HIV-in të jenë të qasshme për të gjithë.
Dr. Dafina Gexha-Bunjaku, në cilësinë e Kryesueses së Mekanizmit Koordinues të Kosovës, theksoi rolin e MKK-së, i cili është trup vendor multisektorial i përfaqësuar nga MSh dhe institucionet tjera relevante, si dhe popullatat e afektuara me TB dhe HIV.
Dr. Gexha-Bunjaku shtoi se MKK aplikon për financim në Fondin Global dhe bën mbikëqyrjen e granteve në emër të vendit, e që në këtë vit është aprovuar granti i fundit në vlerë prej 3,180,098 euro për tri vitet e ardhshme (2025-2027), lidhur me aktivitetet e HIV dhe TB, si dhe ndërtimin e sistemeve reziliente dhe të qendrushme shenëndetësore.
Ndërsa, Sekretari i Përgjithshëm i MSh, Dr. Naim Bardiqi, theksoi rëndësinë e solidaritetit dhe bashkëpunimit ndërsektorial për të përmbushur qëllimet e përbashkëta në parandalimin e HIV/AIDS dhe për të mbështetur ata që jetojnë me këtë sëmundje. Po ashtu, potencoi se kjo ditë e rikujton se lufta kundër kësaj pandemie nuk është vetëm përpjekjeje shëndetësore, por një angazhim për të mbrojtur dinjitetin dhe të drejtat e çdo individi.
Ai tutje theksoi angazhimin e Ministrisë së Shëndetësisë për ndërtimin e një sistemi shëndetësor gjithëpërfshirës, që garanton qasje universale në shërbimet e testimit dhe trajtimit, veçanërisht për grupet më të cenueshme.
Po ashtu, Drejtoresha e IKShPK-së, Dr. Ardita Baraku, tha se kjo ditë rithekson rolin e secilit në vetëdijesim, mbrojtje, diagnostikim, trajtim dhe kujdes për qytetarët, veçanërisht për pacientët e prekur.
Ajo ftoi punëtorët shëndetësorë që të raportojnë të dhënat në Sistemin Digjital të Menaxhimit të Sëmundjeve Ngjitëse, për të kontribuar në grumbullimin e informacionit të nevojshëm për përmirësimin e trajtimit dhe monitorimin e situatës.
Ministria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar në përpjekjet për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse siç është AIDS dhe për të siguruar që të drejtat për shëndet të jenë të disponueshme për të gjithë, pa asnjë përjashtim!