Shënohet Dita Ndërkombëtare e Mbulimit Shëndetësor Universal
- 12.12.2024
Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Shoqatën e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK) dhe me mbështetjen e Projektit të Shërbimeve Shëndetësore të Integruara (IHS), organizoi sot një panel të rëndësishëm për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Mbulimit Shëndetësor Universal, me moton: "Shëndeti: Përgjegjësi e Qeverisë."
Në këtë panel morën pjesë, Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dr. Dafina Gexha Bunjaku, përfaqësuesi i Zyrë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë, Z. Peter Sidler, Drejtori Ekzekutiv i PRAK, Z. Agron Bytyqi, Kryesuesja e Komisionit Parlamentar për Shëndëtesi, Znj. Fatmire Kollçaku, Kryeshefja e Aleancës Ndërkombëtare të Organizatave të Pacientëve Znj. Daniela Mothci, Udhëheqesi i Projektit AQH, Z. Nicu Fota, profesionistë shëndetësorë, si dhe përfaqësues të tjerë nga institucionet relevante.
Zëvendësministrja Dr. Gexha-Bunjaku theksoi rëndësinë e mbulimit universal shëndetësor në përmirësimin e qasjes në kujdesin shëndetësor për të gjithë qytetarët e Kosovës. Po ashtu, ajo theksoi se Mbulimi Shëndetësor Universal është gurthemel i drejtësisë sociale dhe kërkoi që të angazhohen të gjithë për këtë qëllim fisnik që askush mos mbetet prapa për një të ardhme të shëndetshme.
Z. Peter Sidler tha se Zvicra mbetet një partner i besueshëm i Kosovës dhe mbështet përpjekjet e vendit për të forcuar sistemin shëndetësor. Gjithashtu ai shtoi se angazhimi i tyre ilustrohet nga projektet IHS dhe AQH që mbështesin institucionet shëndetësore të Kosovës për të ofruar kujdes gjithëpërfshirës, të integruar dhe të qasshëm, me fokus tek pacienti.
Drejtori i PRAK, Z. Agron Bytyqi, përmendi se është viti i nëntë që shënohet Dita e MSHU-së, duke u nisur nga motoja, është përgjegjësi e secilit që të japim kontributin tonë, në mënyrë që ta plotësojmë sa më mirë kutinë e mbulimit universal shëndetësor.
Ndërsa, Znj. Daniela Mothci prezantoi “Rolin e organizatave në avancimin e MSHU-së”
Ky aktivitet riafirmoi angazhimin e përbashkët të institucioneve, organizatave të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë për të përmirësuar shëndetin e të gjithë qytetarëve të Kosovës.