Për herë të parë në shëndetësinë publike të Kosovës Shërbimi i Fertilizimit të Asistuar Mjekësor

Publication Image

Sot, Kryeministri i Kosovës, Z. Albin Kurti, Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia dhe profesionistë të tjerë shëndetësorë morën pjesë në përurimin e shërbimit të ri të Fertilizimit të Asistuar Mjekësor (FAM) në Klinikën e Gjinekologjisë. Ky shërbim ofron mundësi të reja për çiftet që përballen me infertilitet, duke përdorur teknologji moderne dhe shërbime të standardizuara.
Ky projekt është një hap i rëndësishëm për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në Kosovë dhe garanton mundësi të barabarta për çiftet që dëshirojnë të krijojnë familje.
Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) kanë investuar 1.9 milion euro për pajisje mjekësore të nevojshme për këtë shërbim, si dhe renovimin e plotë të repartit dhe përmirësimin e kushteve për pacientët.
Për këtë shërbim të ri, janë siguruar pajisje të avancuara për laboratorin e embriologjisë, dy aparate ultrazë të reja, si dhe një Histeroskop/Laparoskop i kombinuar për procedura më të sakta dhe efikase.
Gjithashtu, është kompletuar ’’Udhërrëfyesi për vlerësim dhe trajtim të infertilitetit’’, i cili është dorëzuar në komitet për protokolle dhe udhërrëfyes për vlerësim, si dhe barnat për stimulim janë përfshirë në Listën e Barnave Esenciale.
Ky shërbim, i cili në institucionet private kushton deri në 3000 euro, do të ofrohet dy herët e para falas në shëndetësinë publike, ndërsa pas kësaj, çmimi për procedurë do të jetë rreth 670 euro.
Ministria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar për krijimin e kushteve në shëndetësinë publike sipas standardeve më të larta, me aparatura të avancuara për trajtim dhe qasje të lehtë në shërbime shëndetësore.