Prezantohet Strategjia Sektoriale Shëndetësore 2025-2030

Publication Image

Ministria e Shëndetësisë prezantoi Strategjinë Sektoriale Shëndetësore 2025-2030 që është miratuar në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Kjo strategji synon realizimin e vizionit për një popullatë të shëndetshme dhe shërbime shëndetësore cilësore, të sigurta dhe kosto-efektive, me qasje të lehtë dhe të barabartë në shërbimet shëndetësore, duke i mundësuar çdo qytetari që të përfitojë nga shërbimet më të mira dhe më të sigurta.
Si dokument kryesor për drejtimin e zhvillimeve në sektorin e shëndetësisë, Strategjia krijon bazë për ndërlidhjen e politikave shëndetësore të planifikuara me buxhetin në dispozicion dhe parashikimet për pesë vitet e ardhshme. SSSh si udhërrëfyes politik dhe profesional për zhvillimin e sektorit të shëndetësisë, do të mundësoj prioritizimin e përpjekjeve drejt fuqizimit të sektorit të shëndetësisë në drejtim të mbulueshmërisë universale dhe zbatimit të qasjes shëndeti në të gjitha politikat përmes politikave shëndetësore, strategjive dhe planeve të veprimit
Ministri Vitia, në fjalën e tij tha se zbatimi i synimeve të përcaktuara me Strategji, do të mundësojnë kalimin e sistemit shëndetësor në një sistem shëndetësor në zhvillim, duke përfshirë kujdesin parësor dhe investimet, si dhe rritjen e efikasitetit të spitaleve të përgjithshme.
“Rol kyç në arritjen e këtyre synimeve do të ketë zhvillimi dhe mbështetja e vazhdueshme e kujdesit parësor shëndetësor, që paraqet hallkën kryesore të sistemit tonë shëndetësor. Si dhe investimi, forcimi dhe rritja e efikasitetit në spitalet e përgjithshme”, tha Vitia.
Ndërsa, Sekretari i Përgjithshëm, Dr. Naim Bardiqi, duke shpjeguar metodologjinë e ndjekur në hartimin e kësaj strategjie tha se, vlerësimet financiare janë ndërtuar mbi një qasje shumë-dimensionale, ku janë përdorur projeksionet e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve (KASH) për periudhën 2025-2027, kufijtë e shpenzimeve të përcaktuara për organizatat buxhetore dhe supozimet për zhvillimet afatgjatë.
“Ky proces është një dëshmi e qartë e përkushtimit për të menaxhuar me përgjegjësi burimet financiare dhe për të siguruar se çdo euro e shpenzuar në sektorin e shëndetësisë të ketë ndikim të drejtpërdrejtë dhe pozitiv mbi jetën e qytetarëve”, tha Bardiqi.
Përveç Ministrit të Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, dhe Sekretarit të Përgjithshëm, Dr. Naim Bardiqi, në këtë ceremoni morën pjesë edhe përfaqësuesi i Ambasadës së Shqipërisë, z. Kastriot Noli, përfaqësues nga Banka Botërore, Agjencia Zvicerane për Zhvillim, Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, OBSH, UNFPA, UNICEF, përfaqësues të projektit të Qeverisë së Luksemburgut, udhëheqës të institucioneve shëndetësore, përfaqësues të shoqërisë civile dhe pjesëmarrës të tjerë.