Java e Ndërgjegjësimit për Shëndetin Mendor, “Komuniteti” në fokus

Publication Image

Me rastin e shënimit të Javës së Ndërgjegjësimit për Shëndetin Mendor, me moton: “Komuniteti”, Ministria e Shëndetësisë ka organizuar tryezë të rrumbullakët. Qëllimi i këtij aktiviteti është rritja e ndërgjegjësimit për rëndësinë e shëndetit mendor dhe promovimi i fuqizimit të një komuniteti të sigurt dhe të shëndoshë.
Në këtë tryezë kanë marrë pjesë Sekretari i Përgjithshëm, Dr. Naim Bardiqi, Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë, Dr. Faton Kutllovci, Drejtori i Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve, z. Agron Bytyqi, përfaqësues nga OBSH, UNICEF, përfaqësues nga organizata joqeveritare dhe profesionistë të tjerë shëndetësorë.
Në fjalën e tij, Sekretari i Përgjithshëm, Dr. Naim Bardiqi, theksoi se Ministria e Shëndetësisë synon rritjen e ndërgjegjësimit për shëndetin mendor përmes edukimit dhe informimit të të gjithë qytetarëve për rëndësinë dhe kujdesin që duhet ofruar për shëndetin mendor. Po ashtu, theksoi se ministria ka ndërmarrë të gjitha veprimet për rritjen e rëndësisë së shëndetit mendor, si dhe zvogëlimin e stigmës rreth shëndetit mendor, me qëllim të trajtimit të barabartë dhe pa diskriminim të personave me sfida të shëndetit mendor.
“Në bashkëpunim me të gjithë akterët relevantë të fushave specifike janë hartuar shtatë Udhërrëfyes Klinikë, tre udhëzues, ndërsa në proces të hartimit është Projektligji për Shëndet Mendor, Plani Strategjik për Shëndet Mendor 2025-2030, Plani i Veprimit për Programin e Shëndetit Mendor, si dhe hartimi i tre Udhërrëfyesve dhe dy Protokolleve Klinike,” tha Dr. Bardiqi.
Ndërsa, Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë, Dr. Faton Kutllovci, theksoi se shëndeti mendor nuk është vetëm çështje individuale, por është një temë që mund të prekë secilin prej nesh.
“Jemi këtu për të ngritur zërin për çështjet që janë të nënvlerësuara për shkak të stigmatizimit nga shoqëria jonë, andaj le të shfrytëzojmë Javën e Ndërgjegjësimit për Shëndetin Mendor që të bashkohemi për të luftuar stigmat, sepse nuk ka gjë më të fuqishme se sa një komunitet që dëgjon, mbështet dhe nuk paragjykon,” tha Dr. Kutllovci.
Duke falënderuar Ministrinë e Shëndetësisë për bashkëpunimin, Dr. Kutllovci informoi se Klinika e Psikiatrisë është duke u strukturuar dhe duke rritur kapacitetet e saj për trajtimin e sëmundjeve të varësisë.
Në fund të kësaj tryeze, u bë prezantimi i të arriturave, si dhe programi për shëndetin mendor.