Vendoset gurthemeli i Qendrës së re Kryesore të Mjekësisë Familjare në Shtime

Publication Image

Sot, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, dr. Arben Vitia, dhe Kryetarin e Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, vendosën gurthemelin e Qendrës së re Kryesore të Mjekësisë Familjare në Shtime.
Objekti i ri, me një sipërfaqe prej 3,000 m², do të ofrojë shërbime laboratorike, radiologji, urgjencë, stomatologji, trajtime mjekësore, vaksinim, imunizim dhe hapësira administrative. Investimi prej 2.4 milionë euro do të ofrojë më shumë hapësirë dhe kushte më të mira për trajtimin dhe kujdesin shëndetësor për qytetarët e kësaj komune.
Në fjalën e tij, Kryeministri Kurti falënderoi stafin shëndetësor për angazhimin e tyre dhe për punën e bërë, jo vetëm në Shtime por në të gjithë vendin.
Ministri i Shëndetësisë, dr. Arben Vitia, theksoi se përveç përmirësimit të infrastrukturës spitalore, Ministria e Shëndetësisë po fokusohet gjithashtu në investime të mëdha në nivelin primar të kujdesit shëndetësor, pasi është pikërisht ky niveli ku shumica e qytetarëve marrin shërbimet e tyre mjekësore.
Kryetari Aliu shprehu mirënjohje për mbështetjen institucionale dhe ritheksoi se Shtimja synon të krijojë një model funksional të mjekësisë familjare, me ambiente moderne.
Ndërtimi i QKMF-së pritet të përfundojë brenda 30 muajve.