Nënshkruhet Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Kosovës dhe Royal College of General Practitioners (RCGP)
- 16.07.2025

Sot, Zëvendësministri i Ministrisë së Shëndetësisë, Dr. Arsim Berisha dhe Kryetarja e Këshillit, Profesor Kamila Hawthorne, në emër të Kolegjit Mbretëror të Mjekëve të Përgjithshëm (RCGP) të Mbretërisë së Bashkuar nënshkruan vazhdimin e Memorandumit të Mirëkuptimit për akreditimin e Programit Specialistik të Mjekësisë Familjare në Kosovë, me qëllim të përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimeve shëndetësore, me theks të veçantë në zhvillimin e mjekësisë familjare.
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Dr. Arsim Berisha, theksoi rëndësinë strategjike të këtij bashkëpunimi për përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve në kujdesin parësor shëndetësor.
Kjo marrëveshje ka për qëllim vazhdimin e procesit të akreditimit të programit specialistik të mjekësisë familjare ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Kosovës dhe Kolegjit Mbretëror të Mjekëve të Përgjithshëm (RCGP), duke e bërë atë një ndër programet e para specialistike të njohura në nivel ndërkombëtar dhe një shembull të rëndësishëm për ndërkombëtarizimin e specializimeve të tjera mjekësore në Kosovë.
Ministria e Shëndetësisë dhe RCGP janë të përkushtuara për thellimin e bashkëpunimit dhe zgjerimin e fushave të përbashkëta, duke u bazuar në rezultatet pozitive të deritanishme.
Financimi i aktiviteteve për zbatimin e kësaj marrëveshjeje do të mbulohet nga Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës, në përputhje me planifikimet në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve dhe në pajtim me Planin e Veprimit për kalimin e kompetencave nga ‘Programi për Mbështetjen e Shëndetësisë’ te Ministria e Shëndetësisë.
Galeria

