Ministri Vitia viziton Spitalin e Gjilanit në kuadër të Javës Botërore të Ushqyerjes me Qumësht Gjiri
- 04.08.2025

Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, i shoqëruar nga zëvendësshefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, z. Benjamin Samuel Fisher, realizoi sot një vizitë zyrtare në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan, ku u prit nga drejtori i këtij institucioni, Dr. Afrim Cana.
Vizita u zhvillua në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Javës Botërore të Ushqyerjes me Qumësht Gjiri (01–07 gusht), e cila këtë vit mbahet me moton “Fillime të shëndetshme, të ardhme shpresëdhënëse”.
Gjatë kësaj vizite, u shpërndanë pako simbolike për lehonat, si pjesë e aktiviteteve ndërgjegjësuese për rëndësinë e ushqyerjes me qumësht gjiri.
Në fjalën e tij para stafit mjekësor, përfaqësuesve të UNICEF-it dhe mediave, ministri Vitia ritheksoi rëndësinë e fuqizimit të mbështetjes institucionale për nënat dhe foshnjat, duke përmendur përkushtimin e Ministrisë së Shëndetësisë për promovimin e gjidhënies në çdo nivel të kujdesit shëndetësor, përmes politikave ligjore dhe programeve konkrete si ai për vizitat në shtëpi, që ka përfshirë mbi 200 mijë familje në gjithë vendin.
Gjithashtu, ministri Vitia theksoi se të dhënat aktuale të ASK-së për vdekshmërinë perinatale në periudhën 2000–2023 tregojnë tendencë rënieje, me lëvizje variabile dhe mesatare prej 1‰.
“Vetëm 32.1% e foshnjave ushqehen me qumësht gjiri brenda orës së parë pas lindjes, ndërsa rreth 29.2% ushqehen me qumësht gjiri deri në gjashtë muaj. Përkundër një tendence të lehtë rënieje, shkalla e vdekshmërisë perinatale në Kosovë mbetet 9.8‰. Këto shifra janë një thirrje për veprim — të forcojmë më tej përpjekjet tona për promovimin e gjidhënies si një ndër ndërhyrjet më efektive për të përmirësuar shëndetin e nënave dhe foshnjave në vend”, u shpreh ministri Vitia.
Në përmbyllje të vizitës, ministri falënderoi të gjithë profesionistët shëndetësorë për angazhimin e tyre të pandalshëm dhe ritheksoi përkushtimin institucional për të ofruar mbështetje për çdo nënë që zgjedh rrugën natyrale dhe më të shëndetshme të ushqyerjes së fëmijës.
Galeria










