Kryeministri Kurti dhe Ministri Vitia vizituan punimet në Klinikën e Kardiologjisë – QKUK
- 07.08.2025

Dje, Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, dhe Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, së bashku me ambasadorin e Qeverisë së Luksemburgut, z. Eric Dietz, vizituan nga afër punimet që janë duke u zhvilluar në Klinikën e Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Në vazhdën e transformimeve të shumta të hapësirave dhe klinikave në Spitalet Publike, filluan punimet edhe për transformimin e Klinikës së Kardiologjisë dhe pritet të përfundojnë 6 muaj më herët sesa parashikohet me kontratë.
Ky projekt në vlerë 1.45 milionë euro, përfshin renovimin e plotë të mbi 400 m² të hapësirës klinike, përfshirë hapësirën e Cath-Lab-it, instalimin e sistemit të klimatizimit qendror, ndërtimin e banjove brenda dhomave të pacientëve, vendosjen e sistemit Call Nurse, furnizimin me një angiograf të ri, si dhe trajnime për stafin shëndetësor dhe shkëmbime profesionale me ekspertë ndërkombëtarë.
Ministria e Shëndetësisë shpreh mirënjohje të veçantë për Qeverinë e Luksemburgut për mbështetjen dhe kontributin në realizimin e këtij projekti.
Ministria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar në rritjen e shërbimeve, përmirësimin e infrastrukturës spitalore dhe lehtësimin e qasjes në kujdesin publik shëndetësor.
Galeria







