Ministria e Shëndetësisë prezanton arritjet kryesore gjatë dy mandateve të Dr. Naim Bardiqit si Sekretar i Përgjithshëm

Publication Image

Me rastin e përfundimit të mandatit të dytë të Sekretarit të Përgjithshëm, Dr. Naim Bardiqi, Ministria e Shëndetësisë ka bërë një përmbledhje të arritjeve kryesore të sektorit shëndetësor gjatë kësaj periudhe.
Para marrjes së detyrës si Sekretar i Përgjithshëm në vitin 2017, Dr. Bardiqi ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Departamentit për Zhvillim Strategjik, ku ka udhëhequr hartimin e Strategjisë Sektoriale të Shëndetësisë, dokumenti i parë i këtij lloji në historinë e Ministrisë së Shëndetësisë, duke vendosur kështu themelet për zhvillimin afatgjatë të sistemit shëndetësor.
Si Sekretar i Përgjithshëm nga viti 2017 e deri më sot, ai ka ndërmarrë masa të menjëhershme për përmirësimin e menaxhimit të financave publike në Ministri, me qëllim rritjen e transparencës dhe llogaridhënies. Rezultatet e këtyre përpjekjeve janë të dukshme: nga 27 gjetje me modifikime në raportet financiare në vitin 2017, Ministria ka arritur të reduktojë këtë numër në vetëm 3 rekomandime, pa asnjë modifikim të raportit për pasqyrat vjetore financiare të Zyrës Kombëtare të Auditimit, duke zbatuar në mënyrë të plotë (100%) rekomandimet e raportit paraprak të auditimit.
Sipas raportit të USAID-KMI për vitin 2022, Ministria e Shëndetësisë ka shënuar një performancë mbi mesatare në menaxhimin e financave publike, auditimin e brendshëm, prokurimin, integritetin institucional dhe fusha të tjera, duke arritur 81 pikë, një nga rezultatet më të larta ndër institucionet publike të monitoruara në vend.
Raportet e Avokatit të Popullit dëshmojnë gjithashtu përmirësim të vazhdueshëm, me një ulje të ndjeshme të numrit të rekomandimeve dhe rritje të përqindjes së zbatimit të tyre.
Nën drejtimin e Dr. Bardiqit, Ministria ka treguar efikasitet të lartë në hartimin e dokumenteve strategjike, planeve dhe programeve legjislative, protokolleve klinike, udhëzuesve dhe procedurave standarde operative. Për herë të parë, është aplikuar një sistem monitorimi në kohë reale, i cili garanton cilësi dhe zbatim efektiv të politikave shëndetësore.
Në fushën e furnizimit me barna dhe materiale mjekësore, duke përfshirë barnat spitalore, barnat për sëmundje të rralla, programet e veçanta dhe imunizimin, niveli i realizimit ka arritur mbi 90%, duke siguruar vazhdimësi dhe përgjegjësi në shërbim, krahasuar me rreth 30% në vitin 2017.
Stafi i Ministrisë së Shëndetësisë e falënderon për punën e palodhshme, profesionalizmin, integritetin personal dhe institucional, si dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm në forcimin e sistemit shëndetësor të Republikës së Kosovës.