Republika e Kosovës bëhet pjesë e rrjeteve ndërkombëtare për One Health
- 11.09.2025

Komiteti Ndërministror i Kosovës për One Health është tashmë anëtar i Fondacionit për One Sustainable Health (Francë) dhe i Rrjetit Ballkanik për One Health (BOHN).
Ky anëtarësim shënon avancimin e Republikës së Kosovës në iniciativat dhe rrjetet ndërkombëtare që promovojnë qasjen One Health, e cila lidh shëndetin e njerëzve, kafshëve dhe mjedisit në një kornizë të vetme bashkëpunimi.
Z. Benoit Miribel, President i Fondacionit "Një Shëndet i Qëndrueshëm për të Gjithë", nën kujdesin e Institutit Pasteur, pas këtij anëtarësimi ka vizituar Ministrinë e Shëndetësisë me ç’rast ka premtuar përkrahje konkrete në ngritjen e kapaciteteve laboratorike për Kosovën.
Qëllimi i këtij anëtarësimi është forcimi i kapaciteteve shtetërore për të parandaluar, monitoruar dhe menaxhuar sëmundjet që transmetohen nga kafshët te njerëzit, për të mbrojtur biodiversitetin dhe për të ndërtuar sisteme të qëndrueshme shëndetësore.
Përmes këtij rrjetëzimi, Kosova fiton mundësinë të marrë pjesë aktive në shkëmbimin e ekspertizës shkencore e profesionale, të zhvillojë projekte të përbashkëta me shtetet e rajonit dhe të BE-së, të ketë qasje më të lehtë në programe kërkimore, trajnime dhe fonde ndërkombëtare, si dhe të rrisë kapacitetet vendore për menaxhimin e krizave shëndetësore dhe emergjencave të natyrës zoonotike e mjedisore.
Ky angazhim dëshmon përkushtimin e Republikës së Kosovës që të kontribuojë dhe të përfitojë nga bashkëpunimi ndërkombëtar për shëndetin e gjeneratave të tashme dhe të ardhshme.
Ministria e Shëndetësisë shpreh mirënjohje Shoqatës Shqiptare “Iliria” në qytetin Lyon të Francës për bashkëpunimin dhe mbështetjen e pakursyer në këtë rrugëtim.
Galeria
