Shtohen edhe 6 Autoambulanca për Kujdesin Parësor Shëndetësor

Publication Image

Ministria e Shëndetësisë vazhdon përforcimin e kapaciteteve në Kujdesin Parësor Shëndetësor përmes shpërndarjes së autoambulancave për komunat e Republikës së Kosovës.
Pas dorëzimit të 6 autoambulancave të reja gjatë muajit qershor, sot Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar marrëveshje me 6 komuna të tjera për shpërndarjen e autoambulancave të tipit Basic Life Support, me vlerë të përgjithshme prej 448,740 euro.
Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë Zëvendësministri i Shëndetësisë, Dr. Arsim Berisha, si dhe U.D. Sekretari i Përgjithshëm, Z. Jahë Gecaj, të cilët theksuan rëndësinë e kësaj mbështetjeje për përmirësimin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore në nivel lokal.
Ministria e Shëndetësisë, përmes këtij investimi, synon të përmirësojë qasjen e qytetarëve në shërbimet bazë shëndetësore dhe të sigurojë transport të sigurt dhe të standardizuar për pacientët në nevojë.
Po ashtu, gjatë tremujorit të fundit të këtij viti, Ministria e Shëndetësisë do të shpërndajë edhe 8 autoambulanca të tjera, duke garantuar mbështetje të qëndrueshme për komunat dhe avancimin e mëtejshëm të shërbimeve të Kujdesit Parësor Shëndetësor në vend.
Në këtë ngjarje morën pjesë edhe kryetarë dhe nënkryetarë komunash, të cilët pranuan autoambulancat e destinuara për komunat që ata përfaqësojnë.