Ministria e Shëndetësisë filloi fushatën kundër kancerit të gjirit

Publication Image

Ministria e Shëndetësisë ka nisur fushatën e muajit tetor për ndërgjegjësimin kundër kancerit të gjirit, nën moton “Me ty fillon parandalimi”.
Në hapje të kësaj fushate morën pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, Deputetja, znj. Mimoza Kusari Lila, Drejtoresha e Qendrës “Jeta-Vita”, znj. Nafije Latifi, si dhe profesionistë të shumtë shëndetësorë.
Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e ndërgjegjësimit të vazhdueshëm dhe diagnostikimit të hershëm. Ai gjithashtu nënvizoi se Kosova, për herë të parë, ka hartuar Planin Kombëtar të Skriningut për Kancerin e Gjirit 2026–2028, i cili do të garantojë qasje të organizuar, të drejtë dhe të barabartë në shërbime për të gjitha gratë, duke mundësuar diagnostikim të hershëm dhe shpëtim të më shumë jetëve.
Ministri Vitia foli për investimet e realizuara, duke theksuar sigurimin e tre akseleratorëve të rinj – njëri prej tyre i pajisur me sistemin më të avancuar C-RAD, i vetmi i këtij lloji në rajon; zgjerimin e Listës së Barnave Esenciale nga 36 milionë euro sa ishte në vitin 2022, në 75 milionë euro këtë vit; si dhe ofrimin falas të mamografisë dhe rikonstruktimit të gjirit. Ai gjithashtu shtoi se Klinika e Onkologjisë është modernizuar dhe kapaciteti i shtretërve në këtë klinikë është dyfishuar.
Deputetja Mimoza Kusari Lila, e sfiduar personalisht nga kjo sëmundje, ndau mesazhin e saj për qytetarët duke theksuar se vetëkontrolli dhe kontrollet e rregullta janë thelbësore për shpëtimin e jetës.
Drejtoresha e Qendrës “Jeta-Vita”, znj. Nafije Latifi, u bëri thirrje grave dhe burrave të kenë kujdes për shëndetin e tyre dhe të angazhohen në vetëkontrolle dhe konsultime të rregullta me mjekët.
Së bashku e vazhdojmë betejën për ndërgjegjësim, diagnostikim të hershëm dhe trajtim të suksesshëm të kësaj sëmundjeje.
Me ty fillon parandalimi!