Rritje e Kapaciteteve të Klinikës së Onkologjisë me teknologji të avancuar

Publication Image

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, së bashku me Ministrin në detyrë të Shëndetësisë, dr. Arben Vitia, përuruan sot akseleratorin e ri dhe bunkerin në Klinikën e Onkologjisë në QKUK, një investim me vlerë totale prej 2.7 milionë euro, i cili synon avancimin e trajtimit të pacientëve me sëmundje malinje dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve onkologjike në vend.
Në fjalën e tij, Kryeministri Kurti theksoi se pajisjet moderne të teknologjisë së fundit kanë krijuar kushte më të mira pune për mjekët, të cilët me përkushtim dhe profesionalizëm trajtojnë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe më gjerë që përballen me këtë sëmundje. Ai shtoi se, gjatë këtij mandati, Klinika e Onkologjisë ka pësuar një transformim rrënjësor, duke përmirësuar ndjeshëm jo vetëm trajtimin e pacientëve, por edhe kushtet e punës për mjekët specialistë, infermierët dhe stafin shëndetësor në përgjithësi.
Ministri Vitia theksoi se ky është akseleratori i tretë në këtë klinikë, i cili do të mundësojë trajtimin me rreze X për të gjithë qytetarët pa asnjë listë pritjeje. Ai shtoi se puna dhe angazhimi në të gjitha klinikat do të vazhdojnë, për të garantuar që qytetarët të marrin shërbimet e nevojshme brenda institucioneve publike, pa pasur nevojë t’i kërkojnë jashtë.
Ky projekt, i përuruar sot, përfshin instalimin e akseleratorit të ri me një vlerë prej rreth 1.6 milionë euro, ndërtimin e bunkerit me sipërfaqe rreth 500 m² sipas standardeve ndërkombëtare të sigurisë radiologjike, si dhe të gjitha punimet përgatitore në kantier në vlerë 700 mijë euro. Ai përfshin gjithashtu dy sisteme për planifikimin e trajtimit me vlerë 200 mijë euro, një sistem për imobilizimin e pacientëve në vlerë 50 mijë euro, një sistem furnizimi të pandërprerë me energji elektrike (UPS) në vlerë 20 mijë euro, si dhe një sistem dozometrik për matjen dhe kontrollin preciz të dozës së rrezatimit, në vlerë 180 mijë euro.