Ministria e Shëndetësisë dhe Komuna e Fushë Kosovës nënshkruajnë marrëveshje për ndërtimin e QKMF-së së re

Publication Image

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, dhe Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, z. Visar Prebreza, në praninë e Kryeministrit z. Albin Kurti kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për ndërtimin e Qendrës së re Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Komunën e Fushë Kosovës.
Vlera e këtij projekti është 2.5 milionë euro, ndërsa kjo është QKMF-ja e gjashtë që po ndërtohet në komunat e vendit me financim nga Ministria e Shëndetësisë.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, theksoi rëndësinë e investimeve në kujdesin parësor shëndetësor si bazë e një sistemi shëndetësor funksional dhe të qëndrueshëm.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, u shpreh se kujdesi parësor shëndetësor është kontakti i parë i qytetarit me sistemin shëndetësor, andaj investimet në këtë nivel shëndetësor kanë qenë dhe mbeten prioritet për Ministrinë e Shëndetësisë.