Ministria e Shëndetësisë mori pjesë në Takimin Rajonal të Komunitetit të Praktikës së Ekipeve Mjekësore Emergjente për Evropën
- 12.02.2026
U.D. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, z. Jahë Gecaj, Drejtori i Departamentit për Integrime Evropiane, z. Mentor Sadiku, si dhe z. Premtim Kadriu, Zyrtar i lartë për emergjenca, morën pjesë në Takimin e Komunitetit të Praktikës së Ekipeve Mjekësore Emergjente (EMT) për Rajonin Evropian të OBSH-së, i cili u mbajt nga 27–29 janar 2026.
Takimi u organizua nga Agjencia Spanjolle për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (AECID) dhe Zyra Rajonale e OBSH-së për Evropën, me mbështetjen e Qeverisë së Spanjës.
Qëllimi i këtij takimi ishte përcaktimi i drejtimit strategjik dhe zbatimi i politikave për integrimin e standardeve dhe metodologjive të iniciativës së Ekipeve Mjekësore Emergjente (EMT) brenda sistemeve kombëtare të shëndetësisë. Takimi u strukturua në funksion të kalimit nga vizionet globale dhe rajonale drejt hartimit të planeve konkrete kombëtare të veprimit për EMT, të përshtatura sipas nevojave specifike të secilit vend.
Zhvillimi dhe institucionalizimi i EMT-ve përfaqëson një investim strategjik në sigurinë shëndetësore të Republikës së Kosovës, duke kontribuar në forcimin e qëndrueshmërisë së sistemit shëndetësor dhe në rritjen e kapaciteteve kombëtare për reagim ndaj emergjencave dhe fatkeqësive.
Gjatë takimit u zhvilluan diskutime të frytshme me vendet pjesëmarrëse, me theks të veçantë në vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat, ashtu si Kosova, janë në proces të themelimit të Ekipeve Mjekësore Emergjente, me mbështetjen e projektit të Bashkimit Evropian IPA CARE.
Ministria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar për avancimin e kapaciteteve kombëtare në fushën e menaxhimit të emergjencave shëndetësore, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.