Ministria e Shëndetësisë shënon Ditën Botërore të Tuberkulozit, thekson përparimet në parandalim dhe trajtim
- 24.03.2026
Sot, në kuadër të Ditës Botërore të Tuberkulozit, Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me IKShPK-në organizoi një tryezë të rrumbullaket për të përkujtuar rëndësinë e parandalimit, diagnostikimit dhe trajtimit të tuberkulozit (TB).
Në tryezë morën pjesë Zv. Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arsim Berisha, Drejtoresha e Shërbimeve Shëndetësore në MSh, Dr. Merita Vuthaj, Drejtoresha e IKShPK, Dr. Ardita Baraku, Kryetari i Shoqatës së Pulmologëve të Kosovës, z. Skender Bacaj, profesionistë shëndetësorë nga të tri nivelet e kujdesit shëndetësor që merren me trajtimin e TB-së, si dhe përfaqësuesi i projektit për TB nga CDF, Dr. Lulzim Çela.
Në fjalimin e tij, Zv. Ministri Dr. Berisha theksoi se Tuberkulozi mbetet një sfidë shëndetësore në Kosovë, por përpjekjet e përbashkëta të Ministrisë së Shëndetësisë, institucioneve dhe profesionistëve shëndetësorë kanë sjellë përparime të dukshme në parandalim, diagnostikim dhe trajtim.
Ai nënvizoi se janë realizuar investime në kapacitete diagnostikuese, trajtimin falas të pacientëve dhe rritjen e vetëdijes për diagnostikimin e hershëm të TB-së.
Zv. Ministri gjithashtu bëri të ditur se Ministria ka avancuar Sistemin Elektronik të Mbikëqyrjes së Sëmundjeve Ngjitëse (SMSN), duke përfshirë modulin për raportimin e tuberkulozit në kohë reale.
Po ashtu, ai njoftoi se që nga viti 2017, Ministria ka siguruar barna antituberkulare në vlerë prej rreth 800,000 euro.
Në kuadër të bashkëpunimit ndërshtetëror, Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës ka dhuruar 35,000 tableta antituberkulare për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të Republikës së Shqipërisë.
Drejtoresha e Departamentit të Shërbimeve Shëndetësore dhe Shëndetit Publik në MSh, Dr. Merita Vuthaj, theksoi se departamenti do të vazhdojë hartimin dhe monitorimin e politikave shëndetësore me qëllim forcimin e kapaciteteve diagnostikuese, rritjen e qasjes në trajtim cilësor dhe zhvillimin e programeve të ndërgjegjësimit publik për tuberkulozin.
Ndërsa, Drejtoresha e IKShPK, Dr. Ardita Baraku, theksoi se shërbimet për parandalimin dhe kontrollin e tuberkulozit në Kosovë janë të qasshme dhe falas për të gjithë qytetarët, duke përfshirë vaksinimin, diagnostikimin dhe trajtimin. Ajo gjithashtu vuri në pah avancimin e metodave diagnostikuese, përfshirë përdorimin e testit modern QuantiFERON-TB Gold Plus në laboratorët e institutit.
Ndërkaq, Kryetari i Shoqatës së Pulmologëve të Kosovës, z. Skender Bacaj, theksoi rëndësinë e rolit të profesionistëve shëndetësorë në diagnostikimin dhe trajtimin e hershëm të sëmundjes. Ai gjithashtu theksoi përmirësimin e situatës epidemiologjike, duke bërë një krahasim pozitiv të incidencës së tuberkulozit nga viti 2000 e deri më sot.
Përfaqësuesi i projektit për TB nga CDF, Dr. Lulzim Çela, u shpreh i kënaqur për mbështetjen e këtij aktiviteti, duke theksuar përkushtimin e organizatës në luftimin e tuberkulozit.
Në fund të tryezës u prezantuan të arriturat e Ministrisë së Shëndetësisë, përfshirë zhvillimin e Sistemit për Mbikëqyrjen e Sëmundjeve Ngjitëse (SMSN). Nga IKShPK u prezantua situata epidemiologjike në vend, roli i laboratorëve në diagnostikim, si dhe aktivitetet për informimin dhe edukimin e popullatës.
Ndërkaq, nga niveli parësor dhe dytësor i kujdesit shëndetësor u prezantuan të dhëna mbi numrin e rasteve të tuberkulozit në Komunën e Lipjanit, të trajtuara nga mjeku familjar, si dhe investimet e realizuara në Repartin e Pulmologjisë në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë.
Galeria