Shënohet Dita Botërore e Shëndetit
- 10.04.2026
Shënohet Dita Botërore e Shëndetit
Shënohet Dita Botërore e Shëndetit
Nën moton “Së bashku për shëndetin. Qëndrojmë me shkencën”, Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, organizoi tryezë të rrumbullaket me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit, me qëllim të rikujtimit të rëndësisë së kujdesit për shëndetin dhe promovimit të një jete të shëndetshme.
Në këtë tryezë morën pjesë Zv. Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arsim Berisha, Drejtoresha e IKShPK, Dr. Ardita Baraku, Drejtoresha e Departamentit te Shërbimeve Shëndetësore, Dr. Merita Vuthaj, Përfaqësuesja e Zyrës së OBSH-së në Kosovë, Dr. Isme Humolli, Dekani i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, Dr. Sefedin Mucaj, si dhe profesionistë shëndetësorë.
Në fjalimin e tij, Zëvendësministri i Shëndetësisë, Dr. Berisha, theksoi se shëndeti nuk është vetëm mungesë e sëmundjes, por një gjendje e mirë fizike, psikike dhe sociale, e cila kërkon angazhim të përbashkët. Ai potencoi se sfidat e fundit, përfshirë pandeminë COVID-19, kanë dëshmuar nevojën për bashkëpunim, solidaritet dhe vendimmarrje të bazuar në shkencë.
Gjithashtu, ai vlerësoi rolin e profesionistëve shëndetësorë si shtyllë kryesore e sistemit, duke theksuar përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre. Sipas tij, institucionet kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kapaciteteve dhe në sigurimin e qasjes së barabartë në shërbime shëndetësore për të gjithë qytetarët.
Ndërsa, Drejtoresha e IKSHPK-së, dr. Ardita Baraku, theksoi se kjo ditë çdo vit rikujton rëndësinë e shëndetit dhe mirëqenies fizike e psikike, si për qytetarët ashtu edhe për politikëbërësit. Tutje, ajo potencoi se bota po përballet me sfida të shumta, si ndryshimet demografike, ndikimi i luftërave dhe degradimi i mjedisit, të cilat kërkojnë vendimmarrje të bazuar në të dhëna dhe prova shkencore.
Gjatë fjalës së saj, ajo ritheksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rolin kyç të shkencës në mbrojtjen e shëndetit publik, duke theksuar se IKSHPK, si institucioni më i lartë profesional dhe shkencor në fushën e shëndetësisë publike, mbështet vendimmarrjen e bazuar në evidencë dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me partnerët.
Gjatë kësaj tryeze, profesionistët e departamenteve të IKSHPK-së ofruan prezantime të pasura mbi fusha të ndryshme të shëndetit publik, duke përfshirë monitorimin e njohurive dhe sjelljeve parandaluese në lidhje me COVID-19, vlerësimin e antitrupave tek stafi shëndetësor, cilësinë e ajrit të brendshëm në amvisëri, efektivitetin e vaksinave kundër COVID-19 dhe mbikëqyrjen e faktorëve të rrezikut për sëmundje kronike.
Në përmbyllje të këtij takimi, pjesëmarrësit morën pjesë edhe në një sesion pilates, duke theksuar rëndësinë e aktivitetit fizik për shëndetin dhe mirëqenien.