Digjitalizohet regjistrimi i lindjes së fëmijës në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK

Publication Image

Transformimi i Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK është një nga investimet më të rëndësishme në sektorin e shëndetësisë publike, me një vlerë mbi 5.5 milionë euro.
Fillimisht janë modernizuar kushtet për pacientet, duke kaluar nga 8 shtretër në një dhomë në vetëm 2, si dhe duke siguruar banjo brenda çdo dhome për trajtim më të dinjitetshëm.
Paralelisht, janë funksionalizuar tri shërbime të reja.
Si, fertilizimi i asistuar mjekësor, shërbim për të cilin qytetarët nuk kanë më nevojë të shpenzojnë mijëra euro në institucione private.
Amniocenteza, shërbim për të cilin pacientet më herët kanë paguar deri në 600 euro në sektorin privat.
Gjithashtu, është funksionalizuar edhe mjekësia fetale, duke rritur cilësinë e kujdesit gjatë shtatzënisë.
Në vazhdën e këtyre investimeve, sot u lansua edhe shërbimi digjital “Lindja e Fëmijës”, i integruar në platformën eKosova.
Ky shërbim u mundëson prindërve që procedurat për regjistrimin e të porsalindurit t’i bëjnë me disa klikime në spital, pa pasur nevojë që në momentet e tyre më të lumtura të paraqiten fizikisht nga një institucion në tjetrin.
Shërbimi përfshin regjistrimin në sistemin informativ shëndetësor, aplikimin për shtesat për lehonën dhe fëmijën, regjistrimin e vaksinimit, hapjen e llogarive në eKosova dhe njoftimin elektronik të institucioneve statistikore.
Platforma ofron gjithashtu informacione për secilën fazë, nga para shtatzënia, shtatzënia, lindja deri te zhvillimi i hershëm i fëmijës, si dhe liston 245 shërbime, duke u mundësuar qytetarëve që, sipas vendbanimit, të identifikojnë institucionet më të afërta shëndetësore ku mund t’i marrin ato.
Ky shërbim tashmë ofrohet në spitalet e Gjilanit dhe Ferizajt, ndërsa nga sot edhe në QKUK, dhe shumë shpejt në të gjitha maternitetet e vendit.
Ministri i Shëndetësisë Dr. Arben Vitia theksoi se digjitalizimi i shëndetësisë mbetet një nga prioritetet kryesore, duke falënderuar partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e vazhdueshme.
Ministri falënderoi në veçanti Ambasadorin e Gjermanisë, Shkëlqesinë e tij Rainer Rudolph, Ministrin e Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike, z. Lulëzon Jagxhiu, znj. Vanessa Sabelski nga GIZ Kosova dhe Bashkimin Evropian.
Po ashtu, ai shprehu mirënjohje dhe falenderim të përzemërt për profesionistët shëndetësorë për punën e tyre të palodhshme.