Dita Botërore Kundër Abuzimit dhe Trafikimit të Drogave
- 26.06.2026
Shënohet Dita Botërore e Shëndetit
Me rastin e shënimit të Ditës Botërore Kundër Abuzimit dhe Trafikimit të Drogave, e cila shënohet çdo vit më 26 qershor, Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Qendrën Rajonale të Shëndetësisë Publike në Gjilan, organizoi një tryezë të rrumbullakët kushtuar ndërgjegjësimit dhe promovimit të aktiviteteve parandaluese kundër përdorimit dhe abuzimit me drogat.
Këtë vit, kjo ditë shënohet nën moton: “Rri larg drogave – për një shoqëri të shëndetshme”, me synim ngritjen e vetëdijes për rreziqet që paraqet përdorimi i substancave narkotike, promovimin e stilit të shëndetshëm të jetesës dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në parandalimin dhe luftimin e abuzimit me drogat.
Në hapje të aktivitetit, fjalë rasti mbajtën përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, të cilët theksuan rëndësinë e angazhimit të përbashkët institucional dhe shoqëror për mbrojtjen e shëndetit publik, me theks të veçantë te fëmijët dhe të rinjtë, si grupet më të ndjeshme ndaj rrezikut të përdorimit të substancave narkotike.
Gjatë kësaj tryeze u prezantuan aktivitetet e realizuara gjatë vitit 2025 në fushën e promovimit dhe edukimit shëndetësor për parandalimin e abuzimit me drogat, duke vënë në pah rëndësinë e edukimit dhe ndërgjegjësimit si mjete kyçe në parandalimin e përdorimit të substancave narkotike. Po ashtu, u mbajt një prezantim mbi drogat dhe efektet e tyre në shëndetin fizik, mendor dhe social të individit, ku u theksua nevoja për ndërhyrje të hershme, mbështetje profesionale dhe qasje të koordinuar në trajtimin e personave të prekur.
Aktiviteti u pasurua me një pikë teatrale me luajtje rolesh nga aktorët e Teatrit të Gjilanit, e cila trajtoi pasojat e përdorimit të drogave dhe përcolli mesazhe të rëndësishme për parandalimin e tyre, si dhe me hapjen e ekspozitës së punimeve kreative të nxënësve, të realizuara me tematikë kundër përdorimit të drogave, të cilat pasqyruan angazhimin, kreativitetin dhe nivelin e ndërgjegjësimit të të rinjve për këtë çështje me rëndësi të veçantë shoqërore dhe shëndetësore.
Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Qendrave Rajonale të Shëndetësisë Publike, Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare, Drejtorive të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Kryqit të Kuq, Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës, përfaqësues të Fakultetit të Arteve, të Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Me këtë rast, këto institucione ritheksuan përkushtimin e tyre për vazhdimin dhe zgjerimin e aktiviteteve edukative, promovuese dhe parandaluese, me qëllim mbrojtjen e shëndetit publik dhe krijimin e një mjedisi më të sigurt, më të shëndetshëm dhe më mbështetës për të gjithë qytetarët.