Lansohen Procedurat Standarde Operative të Infermierisë për Kujdesin Dytësor dhe Tretësor Shëndetësor – Vëllimi I

Publication Image

Ministria e Shëndetësisë ka lansuar Vëllimin I të Procedurave Standarde Operative të Infermierisë për Kujdesin Dytësor dhe Tretësor Shëndetësor.
Dokumenti do të shërbejë si udhërrëfyes për punën e përditshme të infermierëve, duke unifikuar praktikën profesionale dhe duke ndikuar në rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe sigurisë së pacientëve.
Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, tha se hartimi i këtyre procedurave është vazhdimësi e punës së nisur në vitin 2022 me manualin për Kujdesin Parësor Shëndetësor dhe e vazhduar në vitin 2023 me manualin për kujdesin infermieror në komunitet.
“Me këtë vëllim po krijojmë një bazë të përbashkët për punën e infermierëve në kujdesin dytësor dhe tretësor. Zbatimi i këtyre procedurave do ta lehtësojë punën e profesionistëve dhe do t’u sigurojë pacientëve kujdes cilësor, pavarësisht institucionit ku trajtohen”, tha ministri Vitia.
Në ceremoninë e lansimit morën pjesë U.D. i Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Jahë Gecaj, Drejtori i Përgjithshëm i ShSKUK-së, Elvir Azizi, Udhëheqësja e Projektit të IHS-së, Dr. Lia Tavadze, Kryetarja e Odës së Infermierëve të Kosovës, Nexhmije Gori, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe profesionistë shëndetësorë.
Procedurat u prezantuan nga Drejtori i Departamentit për Zhvillim Strategjik në Ministrinë e Shëndetësisë, Niman Bardhi, njëherësh kryesues i grupit punues për hartimin e tyre.
Ministria e Shëndetësisë falënderon grupin punues, profesionistët dhe partnerët që kontribuuan në hartimin e dokumentit dhe do të vazhdojë angazhimin për zhvillimin profesional të infermierëve dhe ngritjen e cilësisë së kujdesit shëndetësor.