Ministria e Shëndetësisë mirëpriti delegacionin e Gavi-t, UNICEF-it dhe OBSH-së
- 28.07.2026
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Dr. Arsim Berisha, së bashku me Shefin e Kabinetit të Ministrit, z. Bardh Ahmeti, sot mirëpritën në takim delegacionin e nivelit të lartë, të përbërë nga znj. Irina Petkova, Menaxhere e Lartë për Shtetet në Gavi dhe zyrtare përgjegjëse për Kosovën, znj. Fatima Cengic, Specialiste e Shëndetësisë në UNICEF, si dhe z. Oleg Benes, Zyrtar Teknik në Zyrën Rajonale të OBSh-së për Evropë, në kuadër të bashkëpunimit për forcimin e Programit të Imunizimit në Republikën e Kosovës.
Gjatë këtij takimi u vlerësuan rezultatet e arritura nga Kosova pas përfshirjes së vaksinave kundër HPV-së, PCV-së dhe rotavirusit në kalendarin e rregullt të vaksinimit, rritjes së mbulueshmërisë së vaksinimit, investimeve në zinxhirin e ftohtë, digjitalizimit të sistemit të monitorimit dhe sigurimit të qëndrueshmërisë afatgjatë të programit.
Përfaqësuesit e Gavi-t, UNICEF-it dhe OBSH-së e vlerësuan Kosovën si një shembull pozitiv të përkushtimit institucional dhe investimeve në imunizim. Gjatë takimit u diskutuan edhe hapat e ardhshëm për optimizimin e kalendarit të vaksinimit, si dhe forcimi i rolit të pediatrit dhe mjekut të familjes në këtë proces.
Ministria e Shëndetësisë shprehu mirënjohje për partneritetin e vazhdueshëm me Gavi, UNICEF dhe OBSH, duke riafirmuar përkushtimin për avancimin e mëtejmë të Programit të Imunizimit dhe mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve në Republikën e Kosovës.
Galeria