Ministri Vitia vizitoi Spitalin e Pejës në kuadër të Javës së Ushqyerjes me Qumësht Gjiri
- 04.08.2026
Me rastin e shënimit të Javës së Ushqyerjes me Qumësht Gjiri, Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, i shoqëruar nga drejtoresha e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Dr. Ardita Baraku dhe shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, znj. Veronika Vashenko, vizitoi sot Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, ku u njoh nga afër me angazhimin e stafit shëndetësor në promovimin dhe mbështetjen e ushqyerjes me qumësht gjiri.
Vizita u zhvillua në kuadër të aktiviteteve të Javës së Ushqyerjes me Qumësht Gjiri, të mbështetura nga Zyra e UNICEF-it në Kosovë, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Gjatë vizitës, ministri theksoi se qumështi i gjirit është ushqimi ideal për foshnjat dhe se mbështetja për nënat është përgjegjësi e përbashkët e institucioneve, profesionistëve shëndetësorë, familjeve dhe komunitetit. Duke iu referuar motos së sivjetme, "Të ushqyerit me qumësht gjiri për një fillim të qëndrueshëm: Fuqizojmë atë që funksionon", ai vlerësoi punën e profesionistëve shëndetësorë dhe ritheksoi përkushtimin e Ministrisë së Shëndetësisë për fuqizimin e politikave dhe shërbimeve që mbështesin nënat dhe foshnjat.
Ministria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar të mbështesë politikat dhe programet që inkurajojnë ushqyerjen me qumësht gjiri, si një nga masat më efektive për përmirësimin e shëndetit të fëmijëve dhe nënave.
Galeria