Hapet thirrja për abstrakte për Konferencën e Parë Ndërkombëtare të Cilësisë së Shërbimeve Shëndetësore

Publication Image

Ministria e Shëndetësisë njofton hapjen e thirrjes për abstrakte për Konferencën e Parë Ndërkombëtare të Cilësisë së Shërbimeve Shëndetësore, e cila do të mbahet më 12 nëntor 2026, në Hotel Emerald, Prishtinë.

Konferenca, me moton “Investojmë në Cilësi – Ndërtojmë Besim”, synon të krijojë një platformë profesionale dhe shkencore për shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe praktikave të mira në fushën e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, sigurisë së pacientit dhe kujdesit të orientuar nga pacienti.

Në konferencë ftohen të marrin pjesë profesionistë shëndetësorë, ekspertë të cilësisë, studiues, profesionistë të shëndetit publik, menaxherë të institucioneve shëndetësore, përfaqësues të institucioneve akademike, si dhe partnerë vendorë e ndërkombëtarë.

Temat e konferencës

Abstraktet mund të fokusohen, ndër të tjera, në:

  • Politikat dhe strategjitë për cilësinë e shërbimeve shëndetësore;
  • Sigurinë e pacientit dhe menaxhimin e rrezikut;
  • Përvojën dhe kënaqshmërinë e pacientëve;
  • Standardet, akreditimin dhe certifikimin në shëndetësi;
  • Indikatorët e cilësisë dhe matjen e performancës;
  • Auditimin klinik dhe përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë;
  • Qeverisjen klinike dhe llogaridhënien institucionale;
  • Cilësinë në kujdesin parësor, dytësor dhe tretësor;
  • Digjitalizimin dhe inovacionin në përmirësimin e cilësisë;
  • Edukimin dhe zhvillimin profesional;
  • Cilësinë, sigurinë dhe rolin e farmacistit në kujdesin shëndetësor.

Dorëzimi i abstrakteve

Abstraktet mund të dorëzohen në gjuhën shqipe ose angleze dhe nuk duhet të kalojnë 300 fjalë, pa përfshirë titullin dhe autorët.

Për punimet kërkimore, abstrakti duhet të përmbajë: Hyrjen/Qëllimin, Materialin dhe Metodat, Rezultatet dhe Përfundimin, si dhe 3–5 fjalë kyçe.

Punimet e pranuara do të mund të prezantohen në dy forma:

Prezantim oral – 8 minuta
Prezantim poster – format A0, orientim vertikal

Abstraktet që plotësojnë kriteret, por nuk përzgjidhen për prezantim oral, mund të përzgjidhen për prezantim poster, sipas vendimit të Komitetit Shkencor.

Afatet kryesore

01 shtator 2026 – Hapja e thirrjes
01 tetor 2026 – Afati i fundit për dorëzimin e abstrakteve
15 tetor 2026 – Njoftimi i autorëve
12 nëntor 2026 – Mbajtja e konferencës

?? Abstraktet duhet të dërgohen në:
Cilesia.Konference@rks-gov.net

?? Vendi: Hotel Emerald, Prishtinë

Konferenca është në proces të akreditimit nga odat përkatëse profesionale.

Ministria e Shëndetësisë i fton profesionistët dhe ekspertët e fushës që të kontribuojnë me punimet dhe përvojat e tyre në këtë ngjarje ndërkombëtare, e cila synon të nxisë shkëmbimin profesional dhe përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë dhe sigurisë në shërbimet shëndetësore.