Ministri Vitia dhe Ambasadorja Vakali diskutojnë për avancimin e bashkëpunimit Kosovë–Greqi në shëndetësi

Publication Image

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, priti në takim Sh.S. Ambasadoren Heleni Vakali, Shefe e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë.
Gjatë takimit, Ministri Vitia shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e deritanishëm me Zyrën Ndërlidhëse të Greqisë, institucionet përkatëse greke dhe Fetal Medicine Foundation, veçanërisht në fushën e mjekësisë fetale.
Ky bashkëpunim ka sjellë rezultate konkrete në fuqizimin e shërbimeve për shëndetin e nënës dhe të porsalindurit në Kosovë, veçanërisht në Klinikën e Gjinekologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, duke kontribuar njëkohësisht në ngritjen e kapaciteteve të profesionistëve shëndetësorë.
Në takim u diskutua për vazhdimin dhe avancimin e këtij partneriteti, përfshirë mundësinë e ripërtëritjes së Memorandumit të Mirëkuptimit, me synim që rezultatet e arritura të konsolidohen dhe mjekësia fetale të zhvillohet më tej si pjesë e qëndrueshme e sistemit publik shëndetësor në Kosovë.
Ministri Vitia dhe Ambasadorja Vakali diskutuan gjithashtu për zhvillimet e fundit në sektorin e shëndetësisë, prioritetet për periudhën e ardhshme dhe mundësitë për zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.